A po mbahet Kreshnik Bekteshi në burg edhe përshkak të Drin Ahmetit?

Rikthimi i një skandali të heshtur: A ka qenë Kreshnik Bekteshi çelësi i abuzimeve me koncesione minerare?

Pas arrestimit të ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, rikthehen në vëmendje raste më herët të dokumentuara të keqpërdorimeve të mundshme në sektorin e resurseve minerare, ku një ndër emrat më të përfolur ka qenë kompania “Everest JD”, e lidhur me biznesmenin Drin Ahmeti.

Sipas të dhënave të mëhershme, kjo kompani kishte shfrytëzuar lëndë të para minerare në sasi më të mëdha sesa ato të raportuara zyrtarisht dhe, në të njëjtën kohë, nuk kishte përmbushur obligimet ligjore për pagesën e tarifave koncesionare. Megjithatë, në vend që të ndëshkohej apo t’i pezullohej koncesioni, kompania kishte vazhduar të operonte normalisht dhe të fitonte tenderë publikë në vlera milionëshe.

A ishte Bekteshi pengesa institucionale që i mbuloi këto parregullsi? Dhe nëse po, cilat janë përmasat reale të rrjetit që i mundësoi Drin Ahmetit dhe figurave të tjera të lidhura me elitën politike të përfitonin në heshtje nga pasuritë natyrore të shtetit?

Kontratat që “Everest JD” ka lidhur me ndërmarrje shtetërore si SHA “ESM” dhe NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” të Prilepit, në vlera që kalojnë mbi 8 milionë denarë, janë fituar në një kohë kur kompania dyshohej për mosrespektim të kushteve ligjore të koncesionit. Kjo ka ngritur dyshime serioze për bashkëpunim ose mbrojtje të brendshme nga institucionet shtetërore.

Nuk mungojnë as dyshimet për lidhje më të gjëra politike të Drin Ahmeti si nipi i politikanit Ali AHmeti. Në këtë kontekst, lind pyetja: A ishte rrethimi politik ai që garantonte imunitet të heshtur për abuzime me resurse shtetërore?

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar tashmë për kallëzime penale kundër disa personave të përfshirë në keqpërdorime në sektorin minerar, por ende nuk është bërë e qartë nëse këto hetime do të zgjerojnë rrethin e përgjegjësisë deri në nivelet më të larta politike.

Ndërkohë që Bekteshi tashmë përballet me akuza penale, mbetet për t’u parë nëse kjo do të hapë kutinë e plotë të skandaleve që kanë përshkuar sektorin ekonomik – apo nëse do të shërbejë vetëm si një “sakrificë politike” për të mbuluar gjurmët e të tjerëve.