Tradhtia që udhëton mbi binarët e gënjeshtrave: Ali Ahmeti dhe BDI, 20 vite mashtrime me hekurudhën e shqiptarëve

Korridori i Gënjeshtrave: Hekurudhat e Paqena të Ali Ahmetit

Në vend që të ndërlidhte trevat shqiptare me hekurudha moderne, BDI i lidhi shqiptarët vetëm me vargonjtë e zhgënjimit. Projekti i premtuar për hekurudhën Shkup–Kërçovë dhe Kërçovë–Lin nuk është as ideuar seriozisht – ndërsa shqiptarët vazhdojnë të shihen si votues, jo si qytetarë.

Prej vitit 2001, Ali Ahmeti dhe BDI nuk kanë ndalur së premtuari – por asnjëherë së mashtruari. Premtimet për hekurudhën Shkup–Kërçovë dhe linjën jetike Kërçovë–Lini janë shndërruar në simbole të një tradhtie të rëndë kombëtare ndaj shqiptarëve. Në mandatin 2020–2024, BDI me bujë shpalli “rikonstruktimin” e hekurudhës Shkup–Kërçovë si një projekt të siguruar me fonde të BE-së, madje premtoi edhe fillimin e punimeve në vitin 2022. Ku janë këto punime sot? Askund. Asnjë gur, asnjë lëvizje, asnjë shenjë në terren. Vetëm gënjeshtra.

E njëjta farsë ndodhi me hekurudhën Kërçovë–Lin – një linjë që do të lidhte zemrën e trevave shqiptare, por që për dy dekada rresht është përdorur vetëm si karrem elektoral. Që nga 2001, e deri më sot, nuk është hedhur asnjë lopatë për këtë projekt. Asnjë hap për ndërtim, madje as për një projekt ideor serioz. Vetëm shifra të fryra, 500 milionë euro, 10 tunele, 45 ura – të gjitha në letër, për të mbuluar mashtrimin.

 

Premtimi në platformëm zgjedhore 2021-25 

Ky nuk është vetëm dështim. Është diskriminim i qëllimshëm. Kur bëhet fjalë për infrastrukturë që i lidh shqiptarët mes vete – shteti nuk lëviz. Dhe BDI jo vetëm që nuk ka bërë asgjë për ta ndalur këtë padrejtësi, por është bërë bashkëfajtor aktiv, duke ushqyer këtë sistem me premtime të rreme dhe heshtje bashkëpunuese.

Sot, kur shqiptarët po kërkojnë drejtësi dhe zhvillim të barabartë, BDI del e flet për “diskriminim” nga të tjerët – pas 20 vitesh në pushtet absolut, lokal dhe qendror. Po kush i ka diskriminuar më shumë shqiptarët se vetë BDI? Kush i ka tallur më rëndë se vetë Ali Ahmeti?

Këto nuk janë vetëm premtime të parealizuara – janë fyerje ndaj inteligjencës sonë kolektive. Janë prova se për BDI-në, shqiptarët janë vetëm numra votash, jo qytetarë që meritojnë zhvillim, dinjitet dhe infrastrukturë moderne.